“Plani Evropian” ishte temë diskutimi mes kryeministrit Kurti dhe këshilltarit Chollet

Zyra e kryeministrit Albin Kurti ka dhënë detaje nga takimi që ky i fundit, pati me këshilltarin special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Në komunikatën për media, u bë e ditur se Kurti fillimisht, e ka falenderuar Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.” – thuhet në komunikatë.

Planit franko-gjerman, tash Qeveria e Kosovës po i referohet si evropian, duke konfirmuar se është diskutuar edhe një çështje e tillë.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.” – bëhet e ditur mes tjerash.

Vlen të theksohet se para këtij takimi, Chollet i shkoi në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani, ndërsa më vonë, është takuar edhe me liderët opozitarë.