Plani i BE për rritje ekonomike mbledh liderët e Ballkanit në Shkup

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Shkup për të diskutuar mbi hapat për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Ky takim do të mbahet në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, e sipas agjendës, fjalët hyrëse të liderëve do të nisin në orën 09:50.

Ndërsa, në orën 12:15 është paraparë një konferencë e përbashkët për media.

Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, e prezentë do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njohësve të çështjeve politike, takimi do të jetë i fokusuar në hapat që janë ndërmarrë në integrimin në BE, por edhe do të shfrytëzohet rasti që të rritet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’iu kthyer tavolinës së bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.