“Po bën zhurmë t’u gju petarda’/ 46-vjeçari në Rahovec e çon vëllain në Polici, ai e sulmon në prani të policëve

Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.

Konsumimi i tepërt i alkoolit e ka futur në telashe me vëllain e tij një person në Rahovec.

Sinjali mëson se një 46-vjeçar e ka denoncuar në Polici vëllain e tij, duke u ankuar se ky i fundit në gjendje të dehur po bën zhurmë duke hedhur mjete piroteknike (petardë).

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë nisur për në shtëpinë e të dyshuarit ku më pas filloi e gjithë hallakama e madhe.

53-vjeçari dyshohet se në shenjë revolte ka ofenduar dhe ka sulmuar vëllain e tij në prezencë të zyrtarëve policorë.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe po ashtu i është nënshtruar edhe testit të alkoolit ku ka rezultuar në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 53-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.