Po prezantohet Draft-Statuti i Asociacionit: Pjesëmarrës nga shoqëria civile e politika

Draft-Statuti më i fundit i Asociacionit tashmë është në prezantim e sipër në kryeqytet mes një interesimi të madh dhe mes pjesëmarrësve interesantë.

Dy institutet ndërkombëtare që e kanë përgatitur draft-statutin më të ri të Asociacionit tashmë po bëjnë prezantimin e tij dhe interesimi duket të jetë… i jashtëzakonshëm, folur me fjalët e aktivistes Besa Luzha.

Draft-Statuti i tyre i kryer javë më parë u bë publik para disa orësh, ndërkohë që tashmë po diskutohet nga drejtuesit e instituteve përkatëse dhe nga anëtarë të ndryshëm të shoqërisë civile.

Përfaqësuesi rezident i Friedrich-Ebert-Stifftung, Rene Schlee, paraprakisht kishte qenë në zyret e Vetëvendosjes në Prishtinë ku ishte takuar me përfaqësues të kësaj partie.

Por, tashmë ai shihet mes moderuesve të panelit për draftin e ri të statutit.

Të pranishëm në këtë diskutim përveç drejtuesve të instituteve përkatëse, duken edhe disa figura tjera të jetës publike. Bëhet fjalë për Veton Surroin, zyrtarin e lartë të VV-së në KQZ, Sami Kurteshin dhe këshilltarin e ministrit Elbert Krasniqi, Alban Krasniqin (burri i Albulena Haxhiut).

Kurteshi është parë derisa edhe po mbante shënime nga fjala e dhënë nga folësit.

Dy institutet, FES-i dhe Instituti Evropian për Paqe, kanë thënë se objektivi kryesor i tyre në hartimin e këtij drafti të statutit ishte që të bëhej në vijë me Kushtetutën e Kosovës. Ata po ashtu kanë deklaruar se nuk ishin autorizuar për ta kryer këtë punë nga asnjë qeveri.

Komente për këtë draft-statut kishte dhënë edhe ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, akademikja Gjyljeta Mushkolaj.

Rene Schlee i ka kumtuar Nacionales se do të jetë i pranishëm edhe në takimin e 31 janarit të organizuar nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë për modalitetet e formimit të Asociacionit. Nuk dihet nëse ky draft do të jetë po ashtu temë diskutimi.

Në takimin e nesërm pritet të ketë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Në anën tjetër, kryeministri i vendit para disa ditësh kishte thënë se nuk do të merrte pjesë meqë nuk kishte marrë ftesë./Nacionale