Policia dhe KFOR-i amerikan sulmohen në Leposaviq – iu bllokua rruga dhe u hodhën shishe xhami ndaj tyre

Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë sulmuar mëngjesin e sotëm në një fshat të Leposaviqit, derisa po kryenin patrullime të përbashkëta.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit.

“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyrë hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare. I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka shtuar se bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen.

“Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/