Policia jep detaje për djegien e kamionëve që shërbyen si barrikada

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për djegien e dy kamionëve në veri të vendit.

Bazuar në komunikatën për media, policia ka bërë të ditur se mëngjesin e hershëm sot është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën veriore janë djegur dy kamionë, të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.

Nga policia kanë deklaruar se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, deri sa rasti është duke u hetuar.

Njoftimi i plotë i policisë:

Informacion zyrtar

Prishtinë, më 29 dhjetor 2022

Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.

Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.

Nuk dihen shkaqet e djegies së këtyre kamionëve.

Ekipi i T7 po qëndron në Veriun e Kosovës dhe do të raportojë për të gjitha zhvillimet atje.

E në lidhje me barrikadat, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të mërkurën se barrikadat do të fillojnë të hiqen mëngjesin e së enjtes.