Policia me mungesë të uniformave, veturave e armëve

Sa herë që paraqitet nevoja për shërbimin ndaj qytetarëve janë të gatshëm që këtë ta bëjnë pa hezitim.

Por, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po përballen me kushte të vështira pune.

Për një gjë të tillë foli edhe kryeshefi i Inspektoriatit Policor të Kosovës gjatë raportimit në Komisionin për Siguri ku tha se gjatë inspektimit janë hasur mungesa logjistike, po ashtu edhe në armë.

Tëvë1 ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dijë se pse policët po përballen me mungesa të tilla.

Por nga ky institucion, gjatë tërë javës kanë qenë të paqasshëm për televizionin.

E këto mungesa po shihen si të papranueshme nga ish-eprorë të Policisë së Kosovës.

Nënkoloneli në pension, Refki Morina vlerëson se shkaktar për këtë janë procedurat e prokurorimit.

“Logjistika duhet të jetë më agile në mënyrë që me kohë të bëhet ndërrimi i rrobave, pajisjeve teknike teknologjike për shkak se shumë pajisje që përdoren në Polici i përkasin kohës sepse me kalimin e kohës ato nuk duhet të përdoren të vijnë të rejat se janë më të qëndrueshme ndaj rezistencës dhe aktiviteteve të ndryshme policore”, vlerëson Morina.

Sa i përket mungesës së armëve, ai thekson se zyrtarët policorë duhet pajisur sa më parë me to për shkak të rrezikshmërisë së punës që bëjnë.

“Për arsye se grabitësit shpeshherë përdorin armë të gjata, kallashnikovë kurse deri tash ka qenë kërkesë e vazhdueshme edhe e Policisë edhe e opinionistëve që policia të pajiset me armë adekuate për të luftuar krimin dhe veprat e ndryshme penale sidomos të plaçkitjet me armë që ndodhin shpeshherë në rajonet e Kosovës”, thotë ish-nënkoloneli i policisë.

Kurse, Valdet Hoxha që ka qenë në pozitën e kryeshefit të IPK-së thotë se gjendja aktuale është për t’u shqetësuar.

“Natyrisht në mungesë të këtyre pajisjeve logjistike nuk mund të ketë efikasitet dhe efektivitet të duhur të policisë dhe si rrjedhojë qytetarët nuk do të mund ta merrnin shërbimin e duhur që do duhej ta merrnin pra sigurimin e jetës dhe pronës që ka për detyrë Policia e Kosovës”, shprehet Hoxha.