Policia njofton për bllokime të përkohshme të rrugëve në Prishtinë për disa ditë

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 14 e deri më 17 prill do të ketë bllokime të përkohshme apo riorientim në disa segmente rrugore.

Policia ka bërë të ditur se kjo do të bëhet për shkak të konferencës Gratë Paqja dhe Siguria’ të organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, ku do të marrin pjesë personalitete të ndryshme të rëndësishme nga rajoni dhe bota.

“Policia e Kosovës, gjatë kësaj kohe do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së personaliteteve si dhe qëndrimit të tyre në Republikën e Kosovës.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të delegacioneve sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojnë personalitetet/delegacionet e ftuara) , ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.