Prej zotimit të Tajanit për mbrojtje të kufirit Kosovë-Serbi deri te rritja e numrit të forcave të KFOR-it, çka po ndodhë?

Sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ka bërë që parametrat e sigurisë në veri të vendit të ndryshojnë drastikisht.

NATO të enjten morri vendim për dërgim të forcave shtesë në Kosovë në kuadër të misionit paqembajtës të KFOR-it, ku një batalion britanik – pas 700 trupave shtesë turke para mëse 3 muaje – pritet të arrijë dita-ditës.

Rreziku që ngjau brenda territorit të shtetit të Kosovës – kur një forcë paramililtare terroriste prej afërsishrt 30 personave të udhëhequr nga krimineli famëkeq serb Milan Radojçiq – tashmë është bartur edhe matanë kufirit me Serbinë.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftuan dje për një “grumbullim të paprecedentë” trupash të ushtrisë serbe përgjatë kufirit – për çka i kërkuan Serbisë që “menjëherë” t’i kthejnë mbprasht prej nga ku i kanë nisur.

Ky akumulim masiv trupash serbe u bë krejtësisht në heshtje dhe pa vendime – siç zakonisht bëhet publicitet në mediat e afërta me qeverinë serbe – nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, me të nisur konflikti i armatosur mes bandësa terroriste të udhëhequr nga Radojçiq dhe njësiteve speciale policore kosovare, njoftoi se ka telefonuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mesazhi i Tajanit ishte tejet konrekt – kufiri ndërmjet Kosovë dhe Serbisë do të ngurtësohet edhe më tej; dhe atë me prezencën dhe përkushtimin e trupave italiane.

Njoftoi se në pajtim me ministrin italian të mbrojtjes, Guido Crosetto, e kishin diskutuar saktësisht këtë gjë, që kufiri Kosovë-Serbi “është përkushtim i Italisë”.

Me këtë fjali, Tajani e konkludonte tërë komunikatën e tij.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, telefonuan Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të kuptuar se çfarë kishte ndërmend me këtë akumulim masiv.

Por, siguruan ata, ShBA do të bëjë atë që do të bëjë – do të sigurojë që KFOR-i të ketë të gjitha burimet e saj për të kryer punën për çka është e mandatuar.

“Sekretari (Antoy Blinken) shprehu mbështetjen e tij për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it në reagimin ndaj kësaj ngjarjeje, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar dhe përshëndeti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë. Sekretari përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë de-përshkallëzimin e menjëhershëm me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, u tha në komunikatën e DASh për bisedën me Vuçiqin.

Edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evrpoian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i kërkoi Vuçiqit që “menjëherë” të largojë trupat nga kufiri Kosovë-Serbi, ndonëse nuk e frazoi si kufi, por si “vijë administrative kufitare”; kësisoji duke pasqyruar qëndrimin e unionit evropian nga ku pesë shtete ende nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Pas grumbullimit të “paprecedentë” të pranisë së ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, ka reaguar edhe qeveria gjermane përmes një cicërime në Twitter, ku ka kërkuar “reduktimin” e trupave ushtarake serbe.

Ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkuan “largimin” e atyre trupave, Gjermani shkroi për “reduktim”.

“Nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Serbia të reduktojë menjëherë trupat në kufi. Së bashku me partnerët tanë jemi në kontakt intensiv me të gjitha palët. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, ka shkruar Ministra e Punëve të Jashtme e Gjermanisë./Nacionale