Presioni për dinarin, Këshilltarja e Kurtit akuzon BE-në për standarte të dyfishta

Bashkimi Europian është shprehur i shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit serb.

Ndërkohë, për këto reagime nga ndërkombëtarër, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka kritikuar BE’në për përdorim të standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Luginë.

Reagimi i saj vjen pasi në reagimin e BE thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht  bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel.  Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?”, shkruan Sinani në Facebook, përcjell Gazeta Insajderi.

Tutje, ajo kujton disa nga marrëveshjet që nuk janë respektaur nga ana e Serbisë për shqiptarët e Luginës.

“Apo për mospërmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?”, shkruan ajo.