Pretendimi i Haki Abazit: Shtëpia ku banon Kurti është e Ridvan Muharremit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dikur pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka pretenduar para disa ditësh se shtëpia ku po qëndron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në pronësi të të arrestuarit për keqpërdorime të rezervave shtetërore, Ridvan Muharremit.

Abazi këtë e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke pretenduar se shtëpia paguhet “duke marrë tendera”, raporton Insajderi.

“Pas skandalit të madh me Ridvan Muharremin, si duket pronarin e shtëpisë ku jeton me ose pa qira Albin Kurti, pa qira sigurisht sepse qiraja paguhet duke marrë tendera e duke u bërë faktorë në takimet me Lajçakun e ambasadorë në shtëpi private”, deklaroi ndër të tjera Abazi.

Reagimi i Abazit vinte përpara arrestimit të mikut të Kurtit për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Muharremi, sipas dosjes së Prokurorisë, është i implikuari kryesor në dallaveret me rezervat shtetërore, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 600 mijë euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka publikuar“Betimi për Drejtësi”, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.