Prishtinasi shkel urdhrin e mbrojtjes, ofendon dhe kërcënon bashkëshorten e tij

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë  në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Si pasojë e dhunës, shumë gra pajisen edhe me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, mirëpo as kjo nuk respektohet gjithmonë nga burrat.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të shqetësimit që ia ka shkaktuar bashkëshorti i saj.

Bazuar në dëshminë e saj, ajo është e pajisur me urdhër të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, mirëpo kjo nuk e ka ndalur të dyshuarin që të shkojë te dhoma e saj dhe ta ofendojë e kërcënojë.

Si rezultat i denoncimit, 52-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’.