Prishtinë: Babai s’i dha para, djali 39-vjeçar ushtron dhunë ndaj tij

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe prindërit, të cilët përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një 39-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, të cilit i shkaktoi frikë dhe shqetësim të madh pasi nuk i dha të holla siç i kërkonte.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes dhe eskaloi kur i dyshuari tentoi t’i shkaktojë vetes plagë me një thikë, por që babai i tij arriti ta ndalojë. Kjo situatë u tensionua dhe i dyshuari për pak sa nuk e goditi të atin me mjetin e mprehtë.

Posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj tij.