Pritja shtetërore për fundvit nga Zyra e Kryeministrit, çka deklaroi Kurti para ambasadorëve e të ftuarve tjerë?

Zyra e Kryeministrit ka organizuar mbrëmë pritjen shtetërore për fundvit, ku të ftuar kanë qenë krerë të institucioneve, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, prijës fetarë, zyrtarë të shtetit, e ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, miq e partnerë.

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalim, ku ka përmendur edhe sulmet në veri të vendit.

“Jemi sulmuar këtë vit në veri të vendit para tre muajve dhe jemi sulmuar para gjashtë muajve. Por jemi mbrojtur suksesshëm e po bëhemi gjithnjë e më të sigurt me policinë dhe ushtrinë tone. Partneriteti dhe bashkëpunimi që kemi pasur të gjithë e me të gjithë pa asnjë dyshim e ka lehtësuar dhe mbështetur rritjen dhe përparimin si në parametra ekonomikë  ashtu edhe në ata demokratikë”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se gjatë këtyre viteve të qeverisjes, i kanë rishpërndarë si qeveri 1.2 miliard euro përmes masave të shumta, duke shtuar se kjo nuk do të thotë qe Qeveria s’ka e s’do të ketë projekte të mëdha publike e kapitale.

“Ju faleminderit për kritikën e u jam mirënjohës për mbështetjen. Përpiqemi shumë për më të mirën, duke mos harruar që qeveria gjithnjë duhet të bëjë edhe më mirë edhe më shumë. Ju uroj mbrëmje të këndshme, krishtlindje të begatshme e vit të ri të suksesshëm – le të bëhemi gati që nesër për 2024-tën. Viti tjetër do t’i ketë 366 ditë, por ky fakt nuk do të jetë i përfillshëm te arritjet në rritje, te sukseset më të shumta”, ka deklaruar Kurti.