Problemet me qentë endacak, mbeturinat e trafiku urban – Rama nënshkruan marrëveshje me 5 komuna fqinje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit ndërkomunal e shumëfunksional me pesë kryetarët e komunave, atë të Podujevës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Graçanicës e Obiliqit.

Ai tha se kjo marrëveshje përfshinë planet e veprimit për secilën fushë të bashkëpunimit. Rama u shpreh se së bashku do të diskutojnë për problemet me qen endacak, menaxhimin e mbeturinave dhe për problemin me trafik urban.

I pari i kryeqytetit, Përparim Rama theksoi se kjo marrëveshje do të paraqes një shembull të mirë të bashkëpunimit të komunave.

Në marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit ndërkomunal, Rama shtoi se do të diskutohen në thellësi edhe për problemet kyçe të këtyre komunave.

Tutje, Rama tha se është funksionalizuar projekti për menaxhimin e mbeturinave dhe është ndarë parcela dhe janë buxhetuar mjetet për qendrën e grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave ndërtimore.

Ndërsa, Meghan McCormack nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE) tha se marrëveshjet ndërkomunale janë mekanizëm i rëndësishëm për qeverisjen lokale.

Kjo marrëveshje ndërkomunale është nënshkruar nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti dhe i Fushë Kosovës, Besnik Osmani.