Prokurori i Shtetit po e mbikëqyrë procesin e votimit për largimin e kryetarëve në veri

Prokurori i Shtetit bën të ditur se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me  keqpërdorimet lidhur me këtë proces.