Prokuroria kërkon paraburgim për 36-vjeçarin që vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit me afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit për vrasjen e 21 vjeçares në Ferizaj.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – shkruhet në komunikatën për media.

Bëhet e ditur poashtu se i pandehuri kishte mbajtur armën e tipit “Zoraki M”, pa autorizim.

“I pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së” – njofton Gjykata.