Prokuroria Speciale ngreh aktakuzë për terrorizëm ndaj ish-policit Dejan Pantiq dhe tre të tjerëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-policit Dejan Pantiq, i cili së bashku me tre të tjerë, po akuzohen për veprën “Kryerja e veprës terrorise”.

Sipas njoftimit nga PSRK, Në aktakuzë thuhet se në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë.

Me këto veprime sipas Prokurorisë Speciale në bashkëkryerje të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., kanë kryer veprën penale ‘’Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Pantiq, para pak muajëve u lirua nga arresti shtëpiak

Ish-polici i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, ishte liruar nga arresti shtëpiak.

Pantiq u lirua nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumë prej 30 mijë euro.

Lajmin e ka bëre të dituar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro”– ka deklaruar Gashi.

Sipas Gashit, lirimi i tij vije pas kërkesës së palës mbrojtëse për të zëvendësuar arrestin shtëpiak me masën e dorëzanisë.

“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 Euro”-ka thënë ajo.

Ndryshe arrestimi i Dejan Pantiq, kishte “trazuar” veriun e vendit. Pas arrestimit të tij, nisën edhe protesta e barrikadime në këtë pjesë të vendit. Procesi i pas arrestimit të tij gjithashtu u shoqërua më shumë kundërthënje.

Pas lirimit nga paraburgimi, zyrtarë të shtetit kishin akuzuar gjykatësit e prokurorët për joprofesionalizë.