“Protestat s’do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të veteranëve”

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Prizren, Isa Berisha, ka thënë se qeveria nuk ka pasur nevojë ta bëjë një hallakamë kaq të madhe rreth pagës minimale për veteranë.

Ai tha se janë të zhgënjyer me Qeverinë Kurti, ndërsa shtoi se “tani duhet të shohim hapat tutje si do të rrjedhin”.

“Kjo ka mundur të kalojë përmes këtij ligji, kështu që nuk ka pasur nevojë të ekzagjerohet kjo situatë”.

“Kemi pasur vetëm një komunikim pas përfundimit që ka pasur OVL-ja me presidenten, ndërsa nesër do ta kemi edhe një takim me të gjitha degët rreth organizimit se si do të shkojmë tutje”, tha Berisha në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Kurse, për protestën e paralajmëruar më 26 korrik nga OVL e UÇK-së, Berisha tha se protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Është paralajmëruar një protestë, më 26 duhet të jetë një seancë e kuvendit, ku besoj që do të ketë edhe protesta, por këto protesta nuk do të ndalen deri në realizimin e të gjitha të drejtave të veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta”, tha ai.