Protestë jashtë Gjykatës së Lartë në Tiranë, Sali Berisha: Po më kyçin pa asnjë provë në shtëpi

Sali Berisha i është bashkuar protestuesve në afërsi të Gjykatës së Lartë, aty ku do të zhvillohet gjyqi për vulën e PD.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha tha se ka zbatuar gjithmonë ligjin dhe se vështirë të gjendet dikush tjetër që ka më shumë konsideratë se ai për ligjin.

“Po nisni sot ditën me revoltën tuaj në mbrojtjeje të vlerave të lirisë. Në jetën time kam pasur privilegjin që t’i shërbej Shqipërisë me postet më të larta… kjo karrierë zhvillon te njeriu natyrën e tij të dytë për respektimin e ligjit. Për Berishën ligji ka qenë përcaktim gjysmë hyjnorë. Një porosi kam pasur gjithmonë për bashkëpunëtorët e mi: respektoni ligjin.

U bënë vite tashmë që armiqtë e mi kanë nxitur hetime shteruese ndaj meje dhe ka një arsye se pse pas kaq kohësh përpjekjesh nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë shkelje, sepse unë kam respektuar ligji.

Vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se unë për ligjin. Ky është fakt!”, tha Berisha para mbështetësve të tij.

Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e së mërkurës për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike. Në Dhomë Këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve, në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të “Rithemelimit”.

Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve. Të tria mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.

Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës. Në të dyja mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese. Një zgjidhje e tretë është që nga Dhoma e Këshillimit, çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve.