PSD i thotë ‘JO’ ftesës së AAK-së për t’iu bashkuar koalicionit

Partia Socialdemokrate ka thënë se ka marrë ftesë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që t’i bashkohet koalicionit AAK-Nisma Socialdemokrate.

Natyra Kuçi e konfirmoi për Gazetën Sinjali se PSD-ja e ka refuzuar ftesën e AAK-së për koalicion.

“Fillimisht e falenderojmë AAK-në për këtë ftesë, por refuzimi jonë është konceptual dhe ideologjik. Gjithashtu, ne si subjekt politik gjykojmë që, një koalcion strategjik që synon vetëm përfaqësim më të lartë në kuvend, nuk është i nevojshëm. Situata aktuale politike ka nevojë për një kundërshtim me akternativë që ofron zgjidhje karshi situatave të krijuara tashmë nga Qeveria Kurti”, u shpreh Kuçi.

Tutje ajo tha se situata aktuale politike ka nevojë për një kundërshtim me alternativë që ofron zgjidhje karshi situatave të krijuara nga Qeveria Kurti.

“PSD-ja me partitë aktuale në kuvendin e Kosovës nuk do të ketë bashkëpunime elektorale për arsye ideologjike dhe parimore”, tha zëdhënësja.

Kuçi tha se do të garojnë si të vetëm në zgjedhjet e ardhshme dhe se janë të  hapur për bashkëpunime me grupe shoqërore dhe parti të tjera politike që kanë interes dhe botëkuptim të përafërt me ta.

“Ne do të garojmë si të vetëm në zgjedhjet e ardhshme, dhe jemi te hapur për bashkëpunime me grupe shoqërore dhe parti tjera politike që kanë interes dhe botëkuptim të përafërt me ne”, tha ajo.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë lidhur dje marrëveshje për koalicion parazgjedhor.