“Pse ma nguce gruan”/ Këshilltarin e Ardian Gjinit e zë sherri në lokal, rrahet me dy persona

Këshilltari i kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit, Endrit Efendija është futur në telashe, si pasojë e një përleshje në të cilën është përfshirë të shtunën mbrëma. Sherri, motivi i të cilit është zbuluar i kushtoi atij me ndalim, masë kjo në të cilën ndodhet akoma.

Sinjali ka mësuar detajet e incidentit në të cilin u fut zyrtari i komunës bashkë me dy persona të tjerë, që po ashtu janë arrestuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se këshilltari i Gjinit dyshohet se është rrahur me dy të dyshuarit  e tjerë, pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete për shkak të ngacmimeve nga vet Efendija.

Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, gjithçka nisi pasi Efendija dyshohet se i ka ngacmuar gratë e dy të dyshuarve të tjerë, të cilët të revoltuar u hodhën në sulm dhe aty plasi sherri.

“Pse po ma ngucë gruan”, dyshohet se kanë qenë fjalët e njërit nga të dyshuarit që i paraprinë hallakamës dhe rrahjes mes tyre.

Të njëjtat burime thonë se incidenti ka ndodhur pak para mesnatës së 21 tetorit, kur edhe Policia u njoftua menjëherë për rastin dhe intervenuan në vendin e ngjarjes.

Efendija bashkë me dy të dyshuarit e tjere u dërguan për trajtim mjekësor dhe më pas përfunduan në pranga të Policisë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.