Publikohet video e aksidentit ku ministrja Hajdari e kishte goditur me veturë një fëmijë

Më 10 prill të vitit të kaluar një aksident kishte ndodhur në lagjen Arbëria në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Mediat në atë kohë raportuan në mënyrë tendencioze doke bërë konstatime se kinse Hajdari e kishte shkelur një fëmijë me makinë madje duke thënë se kishte ikur edhe nga vendi i ngjarjes.

Pjesë e kësaj fushate propaganduese ishin edhe partitë opozitare duke e akuzuar ministren Hajdari me lloj-lloj akuzash duke thënë se pushteti po ndërhyn në polici e drejtësi duke i manipuluar provat e rastit etj. Edhe pse kushdo nga ata që e akuzonin Hajdari e kishin mundësinë t’i shihnin videot dhe materialet e deponuara në gjykatë.

Për këtë rast  kishte reaguar Hajdari duke thënë se “përderisa ishte duke kaluar me makinë pranë “Meridian Market” , papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas në veturën time”.
I gjithë debati në opinion publik ishte se a ishte përplasur fëmija në veturën e Hajdari apo vetura e Hajdari e kishte shkelur  fëmijën?

KosovaNews ka siguruar videon e aksidentit të asaj kohe dhe në këtë video shihet qartë që fëmija ishte përplasur në pjesën tek pasqyra anësore e  veturës së Hajdari përderisa vetura e tipi “Ford Fiesta”  ishte në lëvizje. Fatmirësisht ky aksident ishte i lehtë dhe fëmija kishte pësuar lëndime të lehta dhe pas ekzaminimit mjekësor ishte lëshuar për në shtëpi.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari ishte bërë nga stacioni policor më saktësisht nga njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe rasti është duke u trajtuar në gjykatën për kundërvajtje.

Gjykata mori vendim që të caktohet një grup ekspertësh që të dalin me një super ekspertizë pasi që ekspertiza e nxjerrë si provë nga ana e gjykatës dhe ekspertiza e paraqitur nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të përafërta.

Pas këtij konstatimi nga ana e gjykatës u vendos që të bëhet një super ekspertizë nga ekspertë të tjerë  nga Fakultetit Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Kosovanews ka siguruar edhe superekspertizen e nxjerrë me 5 shtator të këtij viti nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Sipas kësaj ekspertize në momentin e përplasjes, ministrja Hajdari ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 31 kilometra në orë nga 50 km /h sa ishte shpejtësia e lejuar.
Ekspertiza ka konstatuar se ne këto rrethana nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e përplasjes së këmbësores.
Në konkluzionet përfundimtare të kësaj ekspertize të bërë nga grupi i ekspertëve thuhet se:

1.Këmbësorja e ka marrë veprimin e kalimit të rrugës me hapa të nxituar në mënyrë të papritur.

2.Këmbësorja ka marrë veprimin e kalimit të rrugës para automjetit të parkuar (i cili ka zvogëluar fushën e dukshmërisë për drejtuesen e automjetit) pa u siguruar mjaftueshëm se janë plotësuar kushtet e sigurisë për kalimin e rrugës.

3. Drejtuesja e Automjetit “Ford Fiesta” nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zona urbane ku kërkesat për lëvizje të këmbësorëve dhe lëvizjet të pamotorrizuara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit.