Qeveria e konfirmon: Kurti merr pjesë në Samitin e Tiranës me 16 tetor

Tirana me 16 tetor do të jetë nikoqire e udhëheqësve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.

Kryesuesja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti francez, Emmanuel Macron e kancelari gjerman Olaf Scholz do të jenë të pranishëm gjithashtu, përcjell lajmi.net.

Ashtu siç edhe pritej, por jo nga raportet e së kaluarës jo shumë të largët, në të do të marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Përkundër raporteve të ftohura së fundi me homologun shqiptar, Edi Rama, i pari i ekzekutivit kosovar do të jetë në Tiranë pas gjashtë ditësh.

Këtë e konfirmoi për lajmi.net edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Po, Albin Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Tiranës”, u gjegj shkurt Kryeziu për lajmi.net.

Kujtojmë që edhe mediat shqiptare i kanë kushtuar rëndësi të madhe pranisë ose jo të Kurtit në kryeqendër të hënën e ardhshme, kjo gjithmonë si shkak i “acarimit” mes tij dhe Ramës sa i përket pikëvështrimeve politike.