Quint-i, Kurti e Konjuca i shkojnë në zyrë Osmanit, temë diskutimi anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjuca.

Në njoftimin e presidencës thuhet se takimi është zhvilluar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, pati thënë Komiteti për Politikë dhe Demokraci.