Rahovecasit ia vjedhin furgonin nga oborri, ofron shpërblim për atë që e gjen

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, duke shkaktuar humbje e pasiguri. Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë automjetet, të cilat qytetarët as në oborret e shtëpive e tyre nuk po kanë siguri t’i lënë.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në fshatin Qifllak në komunën e Rahovecit, ku një banori aty i është vjedhur vetura furgon me ngjyrë të portokalltë në oborrin e shtëpisë së tij.

Rastin e ka raportuar pronari i veturës në redaksinë e Gazetës Sinjali, i cili përveç rastit që ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, i njëjti po kërkon ndihmë edhe nga qytetarët për gjetje të veturës.

Sipas qytetarit një nga shenjat që e dallon veturën se është e pronarit nga Rahoveci, është ajo në anën e pasagjerit një zog i dukshëm në pjesën e pasme të veturës që sipas tij e identifikon pak a shumë veturën e tij.

Qytetari ka ofruar shpërblim për të gjithë ata që kanë informacione, duke e kontaktuar në numrin e telefonit 044-239-128.