Rama: Do të organizojmë Samit për Ukrainën në Tiranë, vjen edhe Zelensky

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka paralajmëruar sot se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Tiranën, në Samitin që do të organizohet për Ukrainën.

Komentet Rama i bëri në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë nga Shkupi, ku u zhvillua një takim mes liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të BE dhe SHBA.

Rama tha se Samiti në fjalë është në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Zelenskyn sfidat e sigurisë.

“Do pregatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm presidentin Zelensky. Paralelisht me këtë do të përpiqemi që në këtë hark kohor të kemi takimin tjetër me përfaqësuesit e rajonit, për të bërë një bilanc të këtij muaji. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin ukrainas sfidat e sigurisë”, tha Rama.