Rama: Me planin e BE’së për rritje s’ka “por” për të bërë marrëveshje, çështjet politike s’janë arsye

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, është një platformë kyçe për të përshpjetuar hyrjen në BE.

Gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, Rama tha se çështjet politike s’do të merren si arsye për të mos bërë marrëveshje.

Në nisje të Samitit rajonal për planin e rritjes, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, komisionari evropian tha se plani bëhet funksional vetëm nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor aplikojnë reformat dhe kriteret e kërkuara.

Dua t’ju them se të gjitha ato përpjekje që ne kemi bërë përgjatë atyre dhjetë vjetëve për të ecur drejt integrimit rajonal, përmes planit të ri të rritjes duhet të ndodhin pa “por”, pa arsye politike për të mos bërë marrëveshje.  Dua të përfitoj nga ky rast për t’ju thënë të gjithëve se kur flisnim herë pas here sa e rëndësishme ishte të ecej më shpejtë përmes rrugëtimit rajonal e për të arritur më pranë njëri tjetrit në marrëveshjet ndërkufitare për lëvizjen e kapitalit, të shërbimeve të mallrave të njerëzve, tani më është e qartë se po të kishim bërë më shumë, më përpara do të kishim qenë më pranë edhe tani. Pra, integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal, nuk është diçka e debatueshme dhe plani i ri e vulos një gjë të tilla”, tha Rama.

Ai përmendi edhe nismën e “Ballkanit të Hapur”.

“Të gjitha gjepurat që keni dëgjuar për Ballkanin e Hapur, për këtë apo për atë tjetrën, janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura. Sepse kjo është rruga”, deklaroi Rama.

Tutje, ai tha se gjithsecili duhet ta harrojë se mund të marrë më shumë nga tregu i përbashkët evropian në qoftë se nuk kontribuon plotësisht në tregum rajonal.

Me planin e ri të rritjes që sot patëm edhe një deklaratë të përbashkët. Të gjashtë vendet kanë rënë dakord se kjo është dicka që duhet ta bëjmë. Nuk ka rëndësi se cfarë problemesh politike kemi me njeri tjetrin, nuk ka rëndësi. Ne duhet ta bëjmë këtë dhe BE’ja është e gatshme të na mbështes. Gjithsecili duhet ta harrojë se mund të marrë më shumë nga tregu i përbashkët evropian në qoftë se nuk kontribuon plotësisht nga tregu rajonal. Pra e gjitha lidhet me sjelljen e cdo fqinji me fqinjin tjetër dhe ja pse çështjet politike duhet të diskutohen, të zgjidhen mbi baza dy palëshe. Por, nuk janë arsye dhe nuk do të pranohen si e tillë arsye nga BE’ja për të mosrealizuar dicka që ka të bëjë me lëvizjen e kapitalit, shërbimeve të mallrave dhe njerëzve”, tha Rama.