Rama publikon videon nga inspektimi në Shkodër

Një sërë projektesh infrastrukturore janë ndërmarrë në qytetin e Shkodrës.

Kryeministri Edi Rama eci përgjatë Bulevardit kryesor të Shkodrës në një ditë të zakonshme pune, ku aktualisht po realizohet projekti për rigjenerimin e stokut të banesave. 55 pallate po vishen me sistemin kapot, termoizolim, që do të ndikojë veç anës estetike edhe në kursim energjie, duke rritur gjithashtu edhe vlerën e pronës.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se projekti do të përfundojë në 4-5 muaj. Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se kursimi i energjisë është një prej të mirave të kësaj ndërhyrje.

“Janë me kursim energjie se fasadë është njëra anë dhe është shumë e rëndësishme, pavarësisht se disa vazhdojnë të mos e kuptojnë, por ajo që është përmbajtja e kësaj ndërhyrje është që këtyre i ulet shpenzimi i energjisë edhe në verë edhe në dimër”, u shpreh ai, teksa sugjeroi që edhe dyqanet poshtë pallateve të bëhen pjesë e kësaj nisme.

“Duhet patjetër të bëhet edhe një unifikim i dyqaneve. Duhet një projekt i unifikuar, siç është bërë në Korçë e Gjirokastër”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë ka nisur edhe rehabilitimi i rrugës “Kardinal Mikel Koliqi”,  një segment rrugor që lidh zonën e Dugajve të Reja me kryqëzimin e spitaleve. Ndërhyrja në këtë rrugë pason edhe dy investimet në bulevardin “Mehmet Pashë Plaku” dhe “Bujar Bishanaku” në qytetin e Shkodrës.

“Kjo është një nga shumë ndërhyrjet që kemi bërë në Bulevardin kryesor me asfaltim, ku ka qenë plotësisht e dëmtuar shtresa e sipërme. Do të jetë vazhdim i një ndërhyrje rreth 5 km në Shkodër, rrugë asfaltike, që po bëhet aktualisht me vijëzime, me sinjalistikë dhe do të vazhdojmë edhe në akse të tjera. Pastaj do të vazhdojmë me pjesën e projektit për ndriçimin dhe me pjesën e projektit për trotuaret, por fillimisht kemi bërë disa ndërhyrje të domosdoshme për qytetin”, shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci, teksa evidentoi se Shkodra tanimë është në një nivel krej tjetër në aspektin e pastërtisë së mjedisit.