Rama viziton Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, premton investime

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Rama me anë të një postimi në Facebook, bëri të ditur se kanë parë nga afër investimet që janë duke u bërë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe shërbimet e ofruara.

Ai tha se edhe këtë vit do të vazhdojmë me investime, të cilat sipas tij përfshijnë modernizimin e hapësirave, përmirësimin e sistemit të informacionit për udhëtarët dhe zbatimin e teknologjive të reja.

 

“Vizituam Ndërmarrjen Publike të Kryeqytetit, Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku patëm mundësinë të shohim nga afër përpjekjet dhe investimet që janë duke u bërë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe shërbimet e ofruara. Edhe këtë vit vazhdojmë me super investime, të cilat përfshijnë modernizimin e hapësirave, përmirësimin e sistemit të informacionit për udhëtarët dhe zbatimin e teknologjive të reja për një qëndrim më të rehatshëm dhe të sigurt për të gjithë vizitorët”, shkruan Rama.