Raporti i Bankës Qendrore: Rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbesin të larta

Në vitin 2022, sistemi financiar i Kosovës u përball me rreziqe të rritura dhe pasiguri të shumta, të nxitura nga zhvillimet në arenën ndërkombëtare.

Pasojat e luftës në Ukrainë dhe ndikimi i tyre në rritjen e çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë, si dhe thellimi i kufizimeve në zinxhirët e furnizimit dhe rritja e inflacionit, rezultuan në një ambient të pasigurt për sistemin financiar të Kosovës. Çka thuhet në Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore për vitin 2022?

Inflacioni i lartë dhe thellimi i kufizimeve në zinxhirët e furnizimit u theksuan si faktorë kryesorë që shtuan rreziqet dhe pasiguritë për sistemin financiar të vendit.

Ekonomia e Kosovës shënoi një ngadalësim të aktivitetit, duke reflektuar dinamikat globale dhe rajonale të ngadalësimit ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës shënoi ngadalësim të aktivitetit, ngjashëm me dinamikat në ekonominë globale dhe rajonale. Fillimi i vitit u karakterizua me rritje të konsumit privat dhe eksporteve, si vazhdimësi e dinamikave pozitive post-pandemike”, – thuhet në raport.

Inflacioni dhe rënia e besueshmërisë së konsumatorëve ndikuan në dobësimin e perspektivës ekonomike. Rritja e inflacionit ka ndikuar në rritjen e importeve, duke kontribuar negativisht në rritjen ekonomike së bashku me shpenzimet publike dhe investimet, thekson raporti.

“Rritja e lartë e inflacionit, përkatësisht çmimeve të mallrave të importuara, ndikoi në rritjen e komponentës së importeve, duke dhënë kontribut negativ në rritjen ekonomike, së bashku me komponentën e shpenzimeve publike dhe investimeve,” – thuhet më tej në Raportin e Stabilitetit Financiar.

Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe inflacioni i lartë vazhdojnë të kërcënojnë gjendjen financiare të ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare, duke rritur rrezikun kreditor në të ardhmen, vlerëson raporti.

“Shkalla e lartë e inflacionit dhe pasojat në të ardhurat e disponueshme të ekonomive familjare dhe margjinat e fitimit të ndërmarrjeve, si dhe shtrëngimi i kushteve të financimit, paraqesin rreziqe në rritje për agjentët ekonomik dhe aktivitetin e përgjithshëm ekonomik.

“Sidoqoftë, rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbesin të larta. Prospektet për rritje më të ngadalshme ekonomike si dhe inflacioni i lartë mund të rëndojnë gjendjen financiare të agjentëve ekonomik (ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare), me reflektim në rritje të rrezikut kreditor në periudhën në vijim,” – thuhet aty.

Si pasojë, raporti thekson se projeksionet për rritjen ekonomike u rishikuan. Për vitin 2023, projeksionet e Bankës Qendrore të Kosovës parashikon një rritje ekonomike prej 1 për qind.

“Për pasojë, prospektet për rritje ekonomike në 2024 dhe 2025 janë rishikuar për poshtë në 1.6 përqind nga 1.9 respektivisht 1.8 përqind. Ndërsa, për vitin 2023, projeksionet e BQE-së parashohin rritje ekonomike prej 1.0 përqind (rishikim për lartë nga 0.5 për qind në parashikimet e dhjetorit 2022),” – thuhet në raport.

Megjithëse kriza ishte sfiduese, në raportin e BQK-së thuhet se sistemi financiar i Kosovës vazhdoi të tregojë rritje, duke reflektuar qëndrueshmëri në të gjithë sektorët e tij.

“Përkundër rreziqeve të shtuara, sistemi financiar i Kosovës vazhdoi rritjen, duke reflektuar qëndrueshmëri në të gjithë sektorët e tij përbërës,”– thuhet në raport.