Raportimet se mund të kalojë në VV, Bali Muharremaj: Nuk është 1 prilli

Në media është raportuar se kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj do të aderojë nga AAK në Lëvizjen Vetëvendosje.

Këta zëra Muharremaj në prononcim për Insajderin i ka mohuar. Mes tjerash ai është shprehur se nuk është 1 prilli, dita e gënjeshtrave.

“Sot është Festari dhe jo 1 Prilli”, ka qenë përgjigja e tij e shkurt derisa ka kërkuar t’iu referohemi edhe reagimi të tij të plotë në Facebook.

Reagimi i plotë:

“Unë jam Kryetar i Komunës së Suharekës i votuar edhe për mandatin e dytë sipas procesit zgjedhor. Jam kryetar i degës së AAK-së në Suharekë. Mirëpo përderisa jam në mandatin e kryetarit të komunës, ju shërbej të gjithë qytetarëve pa dallim. Fushata Zgjedhore na dallon politikisht me oferta zgjedhore, ndërsa me momentin e dhënjes së betimit si kryetar komune, qeverisja për qytetarët nuk ka dallime. Sot ka qenë FESTARI dhe jo 1 Prilli. Asnjë kontakt me kurrfarë subjekti politik për aderime nuk kam pasur dhe as që mendoj të kem”.

“Natyrisht s’kam kohë t’ju përgjigjem secilës propagandë e aq më tepër kur jam në vlugun e punës. Jam i përkushtuar dhe i angazhuar t’ju shërbej qytetarëve në 24 orë, pa dallim. Komuna e Suharekës është shtëpia ime e madhe dhe unë jam kryeshërbëtori i saj”, ka shkruar Muharremaj.