Raportohet se ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve për largimin e Lulzim Hetemit: “Ka kaluar numrin e nevojshëm”

Në Leposaviq raportohet se ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për largimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetimi.

Sipas “Kosovo Online”, një nga inciatorët, Veselin Radviq ka thënë se është mbledhur numri i nënshkrimeve të nevojshme dhe e ka tejkaluar 20 për qind të numrit të votuesve të regjistruar në këtë komunë.

“Deri të hënën, do të kemi rezultate korrekte dhe do ta përfundojmë peticionin. Nuk ka pasur parregullsi, çdo gjë ka shkuar në rregull” – citohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, siç u raportua edhe të premten, nënshkrimi i peticionit për largimin e kryetarëve ka përfunduar në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq.

Ndërkaq, po vazhdon mbledhja e nënshkrimeve në Zveçan dhe Zubin Potok.

Vlen të përmendet se nënshkrimet për largimin e kryetarëve po bëhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të miratuar nga Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2023.