Rashiq u bën thirrje qytetarëve të mos barazohen me politikanët që kanë gjuhë nacionaliste e shoviniste

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka marrë fjalën për ta drejtuar një thirrje ndaj të gjithë qytetarëve të të gjitha etnive në Kosovës për një shtim të tolerancës.

Ai tha se qytetarët s’duhet të barazohen me politikanët që kanë gjuhë nacionaliste e shoviniste dhe se duhet të shtohet respekti në mes të fqinjëve.

“I lus bashkëqytetarët tonë sikur serbët ashtu edhe shqiptarët, si dhe krejt komunitetet tjera, që të respektojnë fqinjët dhe të kenë një nivel të tolerancës dhe me të vërtetë nuk duhet të barazohen qytetarët me politikanët që herë pas here mund të kenë një vokabular pak të rëndë nacionalist ose shovinist”.

Rashiq tha se populli i Kosovës e di çka është toleranca dhe bashkëjetesa.

“Megjithatë, po i ftoj krejt që bashkëqytetarët që të kenë një respekt ndaj komshinjve të vet, jo vetëm që kjo është një traditë, një mësim, në gjenet e popullit kosovar, por po ashtu se kjo nuk jemi ne. Nuk jemi ne të tillë. Ne e dimë çka është toleranca, e dimë çka është bashkëjetesa, çka është një kuptim i situatës edhe pse ndonjëherë është komplekse. Por, megjithatë një ftesë për një shtim të tolerancës nëse mund ta quajmë në këtë aspekt”, tha Rashiq.