Rasti i 4-vjeçares në Gjakovë: Ministri Vitia thotë se raportet tregojnë “se nuk pati neglizhencë mjekësore”

Para disa ditësh, u bë e ditur vdekja e një 4-vjeçareje nga Gjakova, e cila u dyshua se ndërroi jetë si pasojë e neglizhencës nga stafi mjekësor.

Rreth rastit u interesua edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ku para disa ditësh tha se janë në pritje të publikimit të raporteve nga organet kompetente, shkruan lajmi.net.

Vitia, sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale bëri të ditur se 4-vjeçarja ishte diagnostifikuar me Seps, duke treguar se nuk kishte të bënte me neglizhencë, duke marrë parasysh se kjo sëmundje është vështirë të vërehet me kohë.

Është diagnostikuar me Seps. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e Sepses që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientës. Shkaktari dhe pse duhet t’i presim rezultate përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë, dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë është sfidë për mjeksisë. Këtë do ta vertetojnë hetimet. Por çdo pretendim tani që çdo veprim ndryshe se ka mund të jetë epilog tjetër për momentin qëndron vetëm si spekulim”, ka thënë Vitia.

Gjithsesi, ai shtoi se përkundër faktit se kishte pasur dyshime për neglizhencë, nuk është evidentuar për diçka të tillë.

“Kur e kam marrë lajmin edhe unë kam pasur doza dyshimi, që mund të bëjë me neglizhencë potenciale. Kjo vjen dhe për shkakun se përkunder angazhimit të profesionistëve shëndetësore, nuk mund të mohojmë faktin se ka pasur dhe ka raste të tilla në sistemin tonë shëndetësor. Por siç e dalloni raportet paraprake nuk kanë evdientuar ende se bëhet fjalë për neglizhencë të qëllimshme apo të çfarëdo lloji”, shtoi ai.

Më tutje Vitia shtoi se ndonëse pacientja u ekzaminua nga doktorë të ndryshëm, prapë nuk dihej qartë shkaku i gjendjes së saj.

“Sipas raportit pacientja nga momenti i pranimit në Spitalin e Gjakovës është ekzaminuar nga shtatë mjekë nga lëmit të ndryshme dhe se nuk dihej qartë shkaku i gjendjes. Nga ekzaminimet e mjekëve nuk paraqiteshin shenjat e dhunës siç thonin prindërit. Ajo është transferuar në QKUK me autoambulantë. Gjatë 14 orëve që është trajtuar në spitalin e Gjakovës është vizituar nga shtatë mjekë. Gjatë trajtimit në spital janë bërë shumë ekzaminime. Pas të gjitha ekzaminimeve sipas raportit është e qartë se nuk është evidentuar asnjë shenjë dhune që do të rrezikonte jeten e saj. Ajo pastaj është referuar në QKUK, ku kanë vazhduar ekzaminimet dhe trajtimi i duhur”, ka thënë më tutje Vitia.