Reagon Klinaku: Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën ZPS-ja

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku, ka thënë se pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

Më tej Klinaku ka vazhduar kritikat ndaj ZPS-së, duke thënë së “bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin, Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”.

“Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë”.

“Bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”, shkroi Klinaku.

Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë nga kjo zyrë.

Kujtojmë se gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit.

ZPS ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.