REL për takimet në Bruksel: Gjërat po ecin, nuk përjashtohet një takim Kurti-Vuçiq

Në lidhje me takimet ndaraz të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me liderë të Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, “gjërat po ecin” ka raportuar Radio Evropa e Lirë përmes burimeve të saj diplomatike në këtë proces, por se nuk saktësohet se për çfarë përparime bëhet fjalë.

REL më tej shkruan se ende nuk është planifikuar një takim i përbashkët Kurti-Vuçiq “por i njëjti nuk përjashtohet nëse ka përparim”.

As Kurti dhe as Vuçiq nuk janë deklaruar për media në lidhje me bisedimet që kanë pasur me krerët evropianë, por ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai që përmes një cicërime në “X” shkroi se e “përgëzon” Kurtin për, siç tha ai, “pranimin e planit të BE-së për të ecur drejt një zgjidhje zhbllokuese” të Asociacionuit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u deklarua pas takimit duke thënë se “puna është në vazhdim e sipër” dhe se “ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut”.