Rikthimi i çështjes së Srebrenicës ‘vë në siklet’ Vuçiqin e Dodikun

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Srpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Srpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet.

Ai shtoi se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.