Ringritet çmimi i vezëve në Kosovë

Deri në këtë javë, çmimet e vezëve për një paketim prej 30 copësh kanë kushtuar saktësisht 3 euro, tani të njëjtat kushtojnë 3, 30 euro. Duhet konstatuar se kjo rritje është bërë gradualisht. Fillimisht, diku kah gjysma e korrikut, çmimi prej 2,50 eurosh për 30 copë vezë u ngrit në 2,70 për të arritur në nivelin aktual që është 3,30 euro për 30 copë vezë.

Që nga fillimi i javës në tregjet e kryeqytetit (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, e në tregje të gjelbra) ka nisur të ngritet çmimi i vezëve.

Deri në këtë javë në zinxhirin e shitoreve të specializuara të prodhuesit të produkteve të shpezëve me emër në Kosovë, që në njëfarë mënyre vlerësohet ndër konsumatorë dhe shërben si referencë për të parë ecurinë e çmimeve të produkteve të shpezëve, e sidomos të vezëve, çmimet e vezëve për një paketim prej 30 copësh kanë kushtuar saktësisht 3 euro, kurse tani të njëjtat kushtojnë 3, 30 euro. Kjo i bie që çmimi i këtij produkti, ndër më popullorët te vendet e varfëra, pra edhe në Kosovë, të jetë ngritur rreth 10 për qind.

Duhet konstatuar se kjo rritje është bërë gradualisht. Fillimisht, diku kah gjysma e korrikut, çmimi prej 2,50 eurosh për 30 copë vezë u ngrit në 2,70 për të arritur kështu në nivelin aktual që është 3,30 euro për 30 copë vezë.

Përafërsisht me të njëjtin çmim, rreth 3 euro, këto ditë, 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete të shumta të Prishtinës. Ndërkaq, supermarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dononojnë produktet ushqimore, çmimin e vezëve edhe tani në raste po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë mund të gjenden mbase edhe nën çmimin e 3 eurove.

Të përkujtojmë se po në këtë rrjet shitjeje të këtij prodhuesi të njohur të produkteve të shpezëve në vend, gjatë një periudhe të caktuar të dimrit të kaluar (diku kah dhjetori 2022 dhe janari 2023), 30 copë vezë kanë kushtuar 3,5 euro, 4 dhe edhe 4,2 euro. Për shkaqet e rikthimit të çmimeve të ngritura të vezëve, pas uljes që u shënua për disa javë në pranverë dhe fillimin e stinës së verës, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë theksojnë se rëndom, në pranverë, bie çmimi i vezëve, por pastaj sidomos në muajt e fundit të vjeshtës dhe gjatë dimrit sërish ngritet çmimi i tyre, madje në përqindje të larta.

Sidoqoftë, siç dihet në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, dhe vërehet gjithandej se tregu i vendit është i mbushur me këtë produkt, ku domonojnë vezët e prodhuara në vend. Por, nëse vazhdon edhe më tej rritja e çmimit të vezëve, edhe suksesivisht, siç ndodhi këtyre ditëve, sipas njohësve të tregut dhe vrojtuesve të vëmendshëm të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e Kosovës, domosdo do të paraqitet nevojat për të importuar edhe vezë.

Gjithmonë, konkurrenca e krijuar qoftë edhe me import, ka qenë njëfarë stabilizatori i ecurive të çmimeve te shumë produkteve. Kështu ndodhi edhe me vezët në muajt e pranverës kur çmimi i 30 copë të vezëve ishte 2 euro si rrjedhojë kryekëput e shtimit të prodhimit në vend, por edhe të importit të një sasie të madhe vezësh dhe stërmbushjes së tregut kosovar me këtë produkt.

Dihet se edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë prodhues të mëdhenjë të vezëve. Dhe në disa vite paraprake, shpeshherë Kosova ka importuar vezë nga këto vende. Se a do të provohet nga tregtarët që të importohen më shumë vezë nga këto vende edhe në muajt në vazhdim, mbetet të shihet. Gjithsesi, konkurrenca mbetet ndër stabilizatorët parësor të ecurive të çmimeve edhe të këtij produkti. /Buletini Ekonomik/