Gazetari Enver Robelli, i cili njihet si një përkrahës i madh i kryeministrit Albin Kurti, ka filluar të zhgënjehet.
Ai ka kërkuar nga kryeministri që të jetë më modest në diskursin e tij gjeopoliitk.
“Janë paksa ambicioze këshillat gjeostrategjike nga kryeministri i një vendi të vogël ballkanik me probleme të mëdha ekonomike, me skenë politike të polarizuar, me emigrim të pandalshëm, me sistem të drejtësisë që kryesisht saboton drejtësinë, me politikanë që pasi kanë grabitur vendin bëhen gati të rikthehen në pushtet pa pasur frikë nga ligji. Kosova nuk është akter global, ka qenë më 1999, nuk është më.
Koncentrimi në zgjidhjen e problemeve praktike e konkrete të qytetarëve do të duhej të ishte prioritet i qeverisë. Verifikimi i punës së shumicës së ministrave do të duhej të gëzonte po ashtu prioritet. Leksionet për Macronin dhe këshillat për Bidenin i ngjajnë më shumë parullave të para disa viteve për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Me parulla nuk qeveriset”, ka shkruar Robelli në profilin e tij në “Facebook”.