Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurorinë Speciale për skandalin me rezervat

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është duke u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo lidhur me skandalin e rezervave shtetërore për të cilin kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale.

Lajmin se Hajdari po intervistohet në Prokurori është konfirmuar nga burime të sigurta të Nacionales, të afërta me zhvillimet.

Intervistimi i Hajdarit vjen pak ditë pasi në të njëjtin vend, u intervistua edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit i dyshuar për shpërlarje parash.

Gazetarja e Nacionales, Beatrisa Culaj, ka siguruar pamjet nga momenti kur ministrja Hajdari futet në Prokurorinë Speciale.

Skandali me rezervat shtetërore

Nacionale muaj më parë kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin për një skandal të madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.

I përfshirë ishte edhe njeriu i afërt i Kurtit, pronari i restaurantit ‘Bukë e Zemër’, Ridvan Muharremi.

Në audio-incizime, zyrtarët e MINT-it e konfirmonin se malli nuk kishte ardhur, dhe vlera ishte mijëra euro.

Pas publikimeve të Nacionales, Prokuroria Speciale kishte ndërmarrë aksion duke arrestuar tre persona.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.

Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Pasi të tre personave i ishte caktuar paraburgimi, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe i la në liri personat e arrestuar.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mohuar akuzat, duke e akuzuar Nacionalen për shpifje.