SBASHK-u proteston më 1 maj: Qeveria ka qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 1 maj, me arsyetimin se Qeveria ka qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve.

“Qeveri ju bëjmë apel ndryshoni qasjen e keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve tjerë në sektorin publik e privat dhe kështu do të parandaloni veprimet tjera sindikale”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Përmes një komunikate të mërkurën, SBASHK-u ka pasur kritika për kabinetin e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

“Në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari Kryeministër, por edhe ministri Murati e ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime. Tani, si për inat, kolegët nga sindikatat e arsimit të vendeve të rajonit po na lavdërohen me pagat e ngritura vazhdimisht, që dallojnë shumë krahasuar me pagat në Arsimin Parauniversitar të Kosovës. Po na krenohen edhe me Kontratat e tyre Kolektive, për Ligjin për sigurimin shëndetësor, për atë të skemave pensionale dhe për kushtet e punës dhe për respektin e shprehur publikisht të qeverive të tyre ndaj figurës së mësuesit. Ju vepruat krejt ndryshe. Punuat Ligjin për paga që nuk realizoi pritjet tona të arsyeshme. Ju lëvizët në mënyrë ironike vlerën e koeficientit të pagave. Ju nuk e bëtë Ligjin për sigurime shëndetësore. Ju bëtë ndryshime e plotësime në Ligjin për skemat pensionale dhe, si me qëllim, mohuat të drejtën e fituar nga neni 8, paragrafi 6 që vitet e 90-ta i pranonte arsyeshëm si vite kontributdhënëse”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Sipas kësaj Sindikate, Qeveria s’ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në arsim që do ta rrisnin cilësinë.

“Ju paralizuat punën e Këshillit Ekonomik Social. Ju nuk doni të nënshkruani tani e sa kohë Marrëveshjen Kolektive që garanton të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat. Si reagim i kësaj qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve do të ketë protestë më 1 maj”, thuhet në komunikatë.