SBAShK-u vijon ta kundërshtojë testimin e mësimdhënësve: Është nënçmim për punën e tyre

Nënkryetarja e sindikatës së arsimit Vjollca Shala, tha se SBASHK, nuk do ta lejojë një testim të njohurive të mësimdhënësve pasi që sipas kësaj sindikate është nënçmim për punën e mësimdhënësve.

Këto deklarata Shala i bëri pasi që ministrja e arsimit Arbërie Nagavci u shpreh e bindur se mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një testimi për të përfituar licencën e avancuar të mësimdhënësit. Njohës të çështjeve të arsimit thonë se vlerësim të performancës së mësimdhënësve duhet të ketë por që testimi i gjithë mësimdhënësve merr kohë të gjatë.

“Testim të njohurive të mësimdhënësve do të bëjmë apel që mësimdhënësit të mos ju nënshtrohen këtyre testeve sepse tashmë mësimdhënësit janë testuar shumë herë nga profesorë të tyre në fakultetin e edukimit dhe çdo kund prandaj e vlerësojmë nënçmues dhe poshtërues për mësimdhënësit sepse ata janë testuar edhe kur kanë hyrë në sistemin arsimor”, tha ajo për RTV21.

Por një qasje tjetër është për çështjen e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve si nga ana e SBASHK-ut po ashtu edhe nga drejtoritë e shkollave.