Së shpejti Kosova me Agjenci për Siguri Kibernetike

Së shpejti pritet të funksionalizohet Agjencia për Siguri Kibernetike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike në Kosovë. Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj. Ndërsa, ekspertë të kësaj lëme thonë se aktualisht ka rritje të sulmeve me motive inteligjente.

Kosova disa herë ka qenë cak i sulmeve kibernetike, ku në vitin 2018, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme kanë raportuar për sulme të tilla, ndërsa edhe në vitin 2022, Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur sulme kibernetike. Për ngritjen e kapaciteteve profesionale për t’u mbrojtur nga këto sulme kibernetike, në Kuvendin e Kosovës është miratuar edhe Ligji për Sigurinë Kibernetike, që i ka hapur rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike.

Por, kjo agjenci ende nuk është funksionalizuar, derisa drejtori i departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj, tha për Radio Kosovën se së shpejti do të jetë funksionale. Ai theksoi se kërcënime dhe sulme ka në vazhdimësi ndaj sistemeve të informacionit, por që sipas tij, Kosova ka hartuar kapacitetet dhe politikat për të krijuar një hapësirë kibernetike të sigurt brenda shtetit.

“Janë finalizuar dy akte nënligjore shumë të rëndësishme që ndërlidhen me themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, që do të jetë agjenci ekzekutive kombëtare, e cila do të kujdeset dhe monitorojë zbatimin e masave minimale të sigurisë prej të gjitha entiteteve. Në këtë rast, do të fokusohet tek infrastruktura kritike kombëtare. Tashmë është strukturuar rregullorja dhe është e aprovuar nga kryeministri. Aktualisht jemi duke punuar në përshkrimin e vendeve të punës, pra, do të jetë agjenci e re ekzekutive, me kapacitete të reja, që synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike”, tha Artan Dreshaj.