Seanca në OKB për Kosovën, Daçiq thotë se Serbia e mori një lajm të mirë

Mediat serbe shkruajnë që nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka njoftuar sot se Guajana, si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vendosur që seanca për Kosovën, e planifikuar për të enjten, të jetë e hapur.

Daçiq këto i tha në kanalin RTS, ndërsa më tutje ai tregon se ka biseduar me homologun e tij guajan dhe ka thënë që Guajana ka vendosur me vendim të kryetarit që seanca të jetë e hapur.

“Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi, Guajana ka vendosur me vendim të kryetarit që seanca të jetë e hapur, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht në faqen e Këshillit të Sigurimit, por kemi marrë informacion nga Ministri i Punëve të Jashtme të Guajanës dhe burime diplomatike se anëtarët e Këshillit të Sigurimit morën vendimin e Guajanës për të caktuar një seancë të hapur”, tha ai.

Daçiq tutje ka thënë që mbështetja e një shteti të vogël si Guajana është shumë e rëndësishme pasi që kanë kaluar një presion të madh.

“Disa nga vendet thanë se do ta respektojnë vendimin e Guajanës, për shembull Koreja e Jugut, Sllovenia,… Vendimi i Guajanës është shumë i rëndësishëm për ne”, nënvizoi ai.

“Është shumë e rëndësishme që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të flasë në një seancë të hapur dhe fjalimi i tij të jetë i dukshëm, që të gjitha arsyet dhe argumentet përse kërkuam seancë urgjente të dëgjohen nga të gjithë. Që të mos Mendoni se kjo është një përpjekje për të komplikuar situatën, në kundërshtim me mendimin tim. Na vjen keq për shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për gjithçka që po ndodh me popullin serb, për terrorin ndaj të cilit janë ekspozuar, për përpjekjen për të ndaluar dinarin.” shpjegoi ai.

Daçiq nuk la edhe pa u ankuar për shtetet perëndimore. Ai shtoi se ato kërkuan që seanca të mbyllet për arsye që i dinë vetëm ata.

“Vendet perëndimore dhe vendet e BE-së kërkuan që seanca të mbyllet për arsye që i dinë vetëm ata. Për ne kjo ishte një luftë shumë e vështirë që u bë”, tha ai.