Fatmir Haxholli nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar se, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës.
Sipas Haxhollit, kjo po ndodhë në hakmarrje dhe nervozizëm ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Kosovës në këtë institucion.
Në reagimin e tij në Facebook ai tha ndër tjerash se, bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.
Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës.Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, tha Haxholli.
Derisa theksoi se është në pritje të përcjelljes së afërt të udhëtimit të tij për në pikëkalimin Batrovc për të qenë afër qytetarëve atje.
“Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljës së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, shtoi ai.