Serwer i jep të drejtë Kurtit që nuk pranon Asociacionin, thotë se duhet të bëhet pas njohjes së Kosovës

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai thotë se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të situatës me Serbinë, dhe i bën thirrje SHBA që përveç raketave t’i sigurojë vendit edhe dronë”.

Në një intervistë për A2CNN, duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka folur edhe për Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim të ‘quid pro quo-s’ që u ra dakord, është një gabim i rëndë. Është diplomaci e keqe”, ka thënë analisti amerikan.

Në pyetjen tjetër se “nuk është hera e parë që Kosovës i premtohet diçka për integrimin;  kërkohet plotësimi i kushteve dhe kur Kosova e bën këtë, diçka tjetër vihet në tryezë dhe premtimi nuk mbahet. A e cenon kjo kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare? Çfarë do të thotë një qëndrim i tillë?”, Serwer ka thënë se “kjo definitivisht që minon besueshmërinë tek bashkësia ndërkombëtare”.

“Kjo ofendon njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera të cilët po kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në Kosovë. Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit. Mendoj se kjo ishte një lëvizje shumë e mirë nga ana e Prishtinës”, tha ai.

Ai i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.