Shala nuk komenton aktakuzën: Po e lë të deklarohem për seancën tjetër

Është mbajtur paraqitja e parë e ish-komandant Topit, Haxhi Shalës në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Fillimisht Gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou. tregoi se për çka ngarkohet ish-eprori i UÇK-së i njohur me nofkën “Topi”.

“Tentativë për pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë; Tentativë për pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes së një grupi; Frikësim gjatë procedurës penale”, tha Guillou.

Mirëpo Ish-komandant Topi, Haxhi Shala ka refuzuar të komentojë mbi aktakuzën që i është konfirmuar.

Ai refuzoi të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë e tij, kështu duke e lënë për seancën tjetër.

“Nuk i kam parë materialet e prokurorisë. Sot nuk mund të deklarohem. Do të deklarohem në seancën tjetër”, tha shkurt Shala.

I pyetur nëse ka çështje që dëshiron të diskutojë lidhur me arrestimin, transferimin dhe kushtet e paraburgimit, Shala tha se “gjithçka është në rregull”.