ShBA dhe BE me komunikatë: EULEX të monitorojë hetimet dhe procedurat, trajtim të barabartë për pakicat

Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një deklaratë të përbashkët me Bashkimin Evropian në lidhje me rritjen e tensioneve në veri të vendit.

Në këtë deklaratë thuhet që BE-ja me ShBA-të janë të shqetësuara për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.

Ata u kanë bërë thirrje palëve, siç thonë, që të përmbahen dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për veprime që e qetësojnë situatën.

“Po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të zgjetur zgjidhje politike në mënyrë që të shtensionohet situata dhe të ketë pajtim për ecje përpara në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies në komunitetet lokale,” – thuhet në këtë komunikatë.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe BE-ja përmes zëdhënësve të tyre kanë thënë që kanë marrë garanci nga lidershipi i Kosovës se nuk ka lista të qytetarëve serbë për t’u arrestuar apo përndjekur.

Në komunikatë thuhet edhe se të gjitha obligimet e dialogut duhet të implementohet pa asnjë shtyrje.

Diçka për Pantiqin?
Dejan Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit prej 30 ditësh sot me një masë më të butë: arrest shtëpiak. Kjo shqetësoi jashtëzakonisht shumë opinionin publik në Kosovë, me pushtetin që po sulmon institucionet gjyqësore.

Dhe kjo komunikatë duket se përfshin edhe një çështje të tillë. Ja çka thuhet në njërin prej paragrafëve të saj:

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.”

Komunikata e plotë:
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.

Ju bëjmë thirrje të gjithçve për të ushtruar përmbajtje maksimale, që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në mënyrë që situata të qetësohet pa asnjë kusht, dhe të përmbahet nga provokimet, kërcënimet dhe intimidimet.

Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të pajtohen për rrugën përpara në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Ne po ashtu presim që Kosova dhe Serbia të rikthehen për të nxitur një mjedis të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal, dhe bashkëpunim për të mirën e qytetarëve të tyre. Të gjitha obligimet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa shtyrje./Nacionale