ShBA-ja dhe BE-ja mesazh Serbisë: Marrëveshja me Kosovën ligjërisht obliguese, të respekohet

Tashmë është raportuar se Serbia e ka refuzuar formalisht që të pajtohet me pika të ndryshme të marrëveshjes me Kosovën, që ishte arritur në kuadër të dialogut në Bruksel, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Madje, platforma evropiane mediale Euroactiv e publikoi letrën, e cila u shkrua nga presidentja serbe, Ana Bërnabiq.

Por në lidhje me këtë qëndrim të ri të Serbisë, kanë reaguar dy fuqi ndërkombëtare. Më saktë, Bashkimi Evropian, që lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mesazhet e ShBA-së BE-së

Të premtën, BE-ja deklaroi qartazi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyjapalët. Madje, zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sipas BE-së, do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane.

Në një deklaratë, Peter Stano, zëdhënës i Joseph Borrellit, shef i diplomacisë së BE-së, deklaroi se marrëveshja është ligjërisht obliguese.

“Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht obliguese, në tërësi, për të dyja palët: Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian” – ka thënë Stano, transmeton REL.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, James O’brien, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, e deklaroi gati të njëjtën gjë. Në këtë intervistë, O’brien deklaroi se ShBA-ja pret që qeveria e re në Serbi të respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën.

“Populli serb mund të votojë për kë të dojë. Ajo që ne presim nga qeveria është që t’u përmbahet marrëveshjeve që ka arritur sa i përket Kosovës” – deklaroi O’Brien për Zërin e Amerikës.

“Në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut të përbashkët evropian, palët duhet të trajtojnë dallimet dhe të pranojnë kufijtë e tyre, pastaj të pajtohen të punojnë së bashku si pjesë e kësaj ndërmarrjeje më të gjerë” – shtoi O’Brien.

Letra e Serbisë

Ndryshe, edhe Zëri i Amerikës ka publikuar letrën që Qeveria e Serbisë i ka dërguar bE-së, ku marrëveshja me Kosovën, pra marrëveshja e normalizimit dhe aneksi i saj, quhet “dokument politik” dhe dokument ligjërisht jo i obligueshëm. Në këtë letër, Serbia është e vendosur në qëndrimin e saj kundër çfarëdo njohjeje, qoftë de facto apo de jure.

““Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit”, siç përshkruhet në këtë Deklaratë, vlerësohet e pranueshme vetëm brenda një konteksti që nuk lidhet me njohjen de fakto dhe de jure të Kosovës. Republika e Serbisë thekson se kjo radhitje nuk zgjerohet te pranimi i anëtarësisë së Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, as i ashtuquajturi integritet territorial i Kosovës. Dokumenti i lartpërmendur nuk përfaqëson traktat ligjërisht të detyrueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.” – thuhet në dokument.

“Për më tepër, rreshtimi me këtë Deklaratë nuk prek faktin që Kosova dhe Metohija mbetet pjesë integrale e territorit të Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 nga viti 1999.” – thekson tutje dokumenti.

Kujtojmë që Bashkimi Evropian është kritikuar në vazhdimësi se ka pasur politikë të butë ndaj Serbisë për çështje të ndryshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit në të cilën Kosova përveç që nuk mori njohjen de jure u detyrua të lëshonte pe në një mori çështjesh tjera.